International Forum For Creativity and Humanity kingdom of Morocco
Rifat Ismaili
Cikël poetik; 5 poezi të shkurtra
ETYD
Kur i lidha sytë me shami
Shkova drejt saj atë çast.
Nuk di nëse rashë
në një pus të zi
O gjeta një ishull
që s' ndodhet në hartë!
PARA LARGIMIT
Akrepi i orës lëviz kuturu
Si zog i paçelur i vezës.
Ti shpërthen si gonxhe tek unë
Nga thellësia e zemrës.
ILUZIONE VJESHTE
Fletët e verdha
Lundrojnë
Si barka magjike...
Qyteti fluturon
Pas dallandysheve...
Si pergamenë
Udhëve të përkohshme
Shpresave të mëdyshme!
NDJENJË FAJI
Ulem tek ai shtrat
Ku fle vajza dhe gruaja...
I shoh dhe ndjehem fajtor.
Nga dritarja e hapur
Hyjnë klithjet e një treni
Çohem dhe unë të shkoj...
Cigarja mu shua në dorë.
SHQETËSIM
Çdo ditë që ikën
Frikë kam të vdes
Çdo natë që vjen
Kam frikë të jetoj...
Nëpër qiej enden
Parajsë e ferr;
As njërën, as tjetrën
Dot si pushtoj...
No comments:
Post a Comment